
Komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptianë, nga sot do të mund të regjistrohen në platformën “Puna ime e parë”, ku do të mund të aplikojnë për punë në kompani private, e të raportojnë edhe për diskriminimin në vendin e punës,
Këtë mundësi do të mund ta shfrytëzojnë vetëm mosha 18 dhe 34-vjeçare.
Zyrtarja e lartë për punësim në organizatën “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, Armanda Toska tha për KosovaPress se kjo është një thirrje për të rinjtë e këtij komuniteti që të fillojnë përvojën e tyre të punës. Pas gjashtë muajsh, të njëjtit tha ajo, do të kenë kontrata të rregullta pune.
Toska, shtoi se 80 përfitues do të jenë gjatë këtij viti për vende pune.
“Është një mundësi apo edhe thirrje për të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë që të jenë pjesë e përvojës së tyre të parë përmes platformës ‘Puna ime e parë’ për gjetjen e punës se tyre të parë me një kontratë të rregullt të punës, pas përvojës gjashtë mujore… Të gjithë të rinjtë e komuniteteve, të cilët plotësojnë kriterin në moshë prej 18 deri në 34 vjet kanë të drejtën e aplikimit për regjistrim të platformës… Numri i përfituesve do të jetë rreth 80 për këtë vit… Ne i ftojmë të gjitha bizneset, kompanitë private që të jenë pjesë e platformës të regjistrohen dhe pse jo edhe ata me qenë përfitues… Deri më tani kemi arritur prej viteve paraprake që të kemi rreth 120 biznese të cilat kanë qenë pjesë aktive”, tha Toska.
Ndërsa prezantimin e platformës e bëri njëri nga krijuesit e platformës Besart Vahia, i cili e prezantoi se si mund të përdoret kjo platformë.
Ky është viti i tretë që VOAE i mundëson këtij komuniteti punësim.
(Ky produkt është krijuar në bashkëpunim midis CFID dhe KosovaPress, brenda kuadrit të projektit: “Kundërshtimi i stereotipeve negative për komunitetet Roma, Ashkali dhe Egjiptianë të Kosovës përmes iniciativës mediatike”, i cili financohet nga UNMIK).