Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, shfaqet premiera “Në kërkim”, e regjisorit Mahir Musliu

04/28/2025

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve,  Teatri Rom “Nexhip Menekshe”, të hënën mbrëma, ka paraqitur premierën e shfaqjes “Në kërkim”, duke sjellë në vëmendjen e publikut porosinë e qartë kundër diskriminimit.

Frymëzuar nga vepra “Frika e madhe dhe mjerimi në Rajhun Tretë” të autorit Bertolt Brecht, regjisori Mahir Musliu ka vënë në skenë premierën e shfaqjes “Në kërkim” me Teatrin Rom “Nexhip Menekshe”,  tri akte të pavarura të kësaj përmbledhjeje dramash që rrëfejnë jetën nën torturë e represion, duke shtyrë publikun e pranishëm për reflektim ndaj realitetit të sotëm.

Regjisori Musliu ka vlerësuar lartë angazhimin e përkushtimin e ekipit për ta vënë në skenë këtë dramë, që sipas tij, e ka marrë edhe verifikimin nga publiku i pranishëm.

“Qetësia që mbretëronte gjatë shfaqjes, ka treguar që e kemi arritur qëllimin edhe dramaturgjik, edhe skenik, edhe artistik”, ka deklaruar Musliu.

Ndërkaq aktorët, Fatmir Menekshe dhe Daut Qylanxhiu, kanë pranuar se inskenimi i veprës së Brechtit ka qenë sfidues, por se me punën disa mujore është arritur një rezultat i kënaqshëm.

Aktorët amatorë të teatrit rom Fatmir Menekshe, Daut Qulangjiu, Gjelal Dogani, Benjamin Menekshe, Melisa Menekshe, Gjynejt Kallo, Mijedin Shope, Gynesh Veshall dhe Urma Menekshe, në skenë janë paraqitur me një lojë të ndjeshme, të sinqertë dhe me plot energji, duke krijuar një lidhje të menjëhershme me publikun.

Me interpretim të natyrshëm dhe përkushtim të dukshëm, secili prej tyre ka sjellë dimensione të ndryshme të personazheve, duke filluar nga brishtësia e emocioneve e deri te forca e brendshme që përcillej nëpërmjet fjalëve dhe gjuhës trupore.

(Ky produkt është krijuar në bashkëpunim midis CFID dhe KosovaPress, brenda kuadrit të projektit: “Kundërshtimi i stereotipeve negative për komunitetet Roma, Ashkali dhe Egjiptianë të Kosovës përmes iniciativës mediatike”, i cili financohet nga UNMIK).