CFID publikon Studimin: – Youth Engagement for the Europeanization of the Balkans

09/26/2025

Studimi “The Level of Youth Inclusion in Kosovo’s European Integration, Europeanization, and Democratization”, i realizuar nga Center for Innovation and Development (CFID) në kuadër të projektit “Youth Engagement for the Europeanization of the Balkans”, sjell një analizë të thellë mbi gjendjen aktuale të përfshirjes së rinisë në proceset e integrimit evropian të Kosovës. Pavarësisht ekzistencës së kuadrit ligjor dhe strategjik si Ligji për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e të Rinjve (2009), Strategjia Kombëtare Rinore 2019–2023 dhe Programi Kombëtar për Integrim Evropian 2024–2028, zbatimi i tyre mbetet i dobët, ndërsa pjesëmarrja e të rinjve shpesh është më shumë simbolike sesa substanciale.

Gjetjet e hulumtimit theksojnë disa sfida kryesore: nivel i ulët përfaqësimi institucional, mospërputhje të arsimit me tregun e punës, papunësi dhe dëshpërim që nxit emigrimin, si dhe përjashtim i dukshëm i grupeve të margjinalizuara si të rinjtë romë, ashkali, egjiptianë, ruralë dhe me aftësi të kufizuara. Megjithatë, raporti nënvizon edhe energjinë pozitive të gjeneratës së re, e cila dëshmon gatishmëri të lartë për pjesëmarrje kur ofrohen mundësi të mirëfillta – nga pjesëmarrja e lartë në zgjedhje, te sukseset e programeve si Erasmus+ apo K-GenU.

Ky studim argumenton se përfshirja domethënëse e rinisë nuk është vetëm një kërkesë demokratike, por edhe një kusht themelor për përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Rekomandimet e tij synojnë forcimin e mekanizmave institucionalë, fuqizimin e organizatave rinore dhe ndërtimin e një sistemi ku të rinjtë jo vetëm që dëgjohen, por edhe ndikojnë realisht në të ardhmen evropiane të vendit.

Ky hulumtim u krye në kuadër të projektit “Angazhimi i të Rinjve për Evropianizimin e Ballkanit”, i zbatuar nga Instituti BIRC nga Maqedonia e Veriut, OJQ-ja GLAS nga Mali i Zi dhe CFID nga Kosova*, dhe i mbështetur nga Fondi i Ballkanit Perëndimor me bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian.

Ky botim është prodhuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian dhe Fondi i Ballkanit Perendimor WBF

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e vetme e përfituesit CFID dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian dhe Fondit te Ballkanit Perendimor WBF

Kliko ketu per ta lexuar studimin