“Një kromozom, shumë medalje”

11/21/2025

Varur në murin e dhomës së saj qëndrojnë një mori medaljesh. Vajza me një kromozom më tepër në zinxhirin gjenetik, më të shumta se kaq i ka sukseset.

Nga hapa shumë të vegjël, Medina Surdulli nisi të shihte botën pa limite.

Ishte vera e vitit 2001 kur gjatë pushimeve në bregdetin shqiptar ajo filloi hapat e parë drejt një kampioneje. Vetëm pesëvjeçare ajo u mësua të notojë me ndihmën e babait të saj.

“Me përkrahjen e babit jam mësuar të notoj se kam pasur fobi prej ujit. Edhe pastaj jam marrë me not që nga mosha pesëvjeçare dhe më ka pëlqyer. Babi më ka mësuar hapat e parë të notit, ma ka mësuar frymëmarrjen, si t’i përdori duart edhe si t’i lëvizi këmbët. Kemi qenë në bregdetin shqiptar dhe pastaj ai m’i ka mësuar hapat e parë. Ka qenë deti shumë i thellë dhe frikohesha që do të dalë diçka edhe pastaj nuk kam pasur më telashe me ujë. Kështu babai më ka mësuar hapat e parë të notit…”

Edhe aso kohe nuk ishte vështirë të vërehej potenciali i saj. Për zhvillimin e aftësive, prindërit punuan pa rreshtur duke angazhuar edhe trajner.

Me entuziazëm të madh, ajo nisi të ushtronte intensivisht e pesë herë në javë.

Kështu kujton vajza me sindromin down hapat e parë të sukseseve të saj, Medinës që e gjithë Kosova e njeh si kampione të notit.

“Unë jam Medina Surdulli nga Prishtina dhe jam 29-vjeçare. Jam aftësuar me aktivitete të ndryshme, me angazhime të ndryshme edhe kam marrë shumë medalje të arta dhe të argjendta e të bronzta. Mua e gjithë Kosova më njohin, që jam një kampione si Majlinda Kelmendi. Kjo më bën të ndjehem shumë mirë edhe ndjehem shumë e lumtur që jam një kampione. Kam shumë medalje, kam mirënjohje, kam kupa. Jam shpallur edhe sportistja e vitit në vitin 2012”.

Medina Surdulli është e lindur dhe e rritur në Prishtinë. Shkollimin e ka përfunduar në Qendrën Burimore “Përparimi” në kryeqytet.

Që nga viti 2012, kampionia e Kosovës merr pjesë edhe në gara ndërkombëtare. Pesë vjet më vonë, ishte dekoruar me medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian të notit për personat me sindromën down, i cili u mbajt në Francë.

Në vitin 2018, në garat ndërkombëtare që janë mbajtur në Kosovë, Medina mori dy medalje të arta dhe dy të argjendta.

Medina Surdulli ka marrë pjesë edhe në Lojërat Botërore Dimërore, të cilat zhvillohen në kuadër të Olimpiadës Speciale në Austri. Aty e fitoi vendin e dytë, ku mori medaljen e argjendtë në Kosovë.

Medina u dekorua edhe me Medalje Presidenciale të Meritave nga ish-presidenti, Hashim Thaçi.

Tutje, ka punuar në shoqatën “Down Syndrome Kosova”, në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT).

Së fundmi ajo punon në shtypshkronjën “Blendi Group” në kryeqytet.

“Ëndrra ime ka qenë që të bëhem trajnere e fëmijëve me sindroëm down, por kjo mbeti vetëm një ëndërr”.

Me përfundimin e shkollimit në Qendrën Burimore “Përparimi”, Medina u përball me diskriminim.

Pas shumë arritjeve në Kosovë e gara ndërkombëtare, ajo nuk arriti të ndjek ëndrrën e saj.

“Aty kam qenë e mërzitur [në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv], ata janë marrë më shumë me mua se me tjerët. Sepse unë di not, di skijim, di edhe vrapim. Jam mërzitur shumë që nuk u pranova në fakultet. Unë i bëra 20 pompa edhe ata u çuditën, thanë ‘uau, Medina qenka aftësuar’. Ëndërr e kam pasur që të pranohem në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv. Në të ardhmen, fëmijët tjerë që janë si unë le të fitojnë të drejtat e shkollimit barabartë me të tjerët që të mos mbesin si unë. Të gjitha të drejtat, në punë, shkollim…”

Pas sukseseve të shumta e garave ku mori shumë medalje, ajo ka vendosur të sfidojë veten edhe me një sport luftarak – kickboksin.

Jetës i dhuron tinguj duke ekzekutuar mbi 140 vepra në piano.

“Unë luaj në piano prej vitit 2010 dhe i kam mësuar hapat e parë të gishtërinjve që të luajë piano. Edhe në dhomën time kam shumë medalje që kam arritur deri tash. Kur i shoh më japin ndjesinë se jam talente edhe jam një kampione”.

Medina Surdulli, e cila është 29-vjeçare dëshiron që çdo fëmijë me sindromën down të trajtohet i barabartë dhe të mos ndiejë kufizim në rrugëtimin e jetës.

“Unë kam dëshirë që të gjithë fëmijët me sindromën down të trajtohen si të tjerët. Duhet të aftësohen personat me sindromën down”.

Medina Surdulli    Qershor 2025