Në kujtesën e saj ruan imazhet e fundit me ngjyra. Janë portretet e familjarëve, shtëpia ku u rrit dhe rrugët e qytetit që i parafytyrohen gjithnjë. Hera e fundit kur mund t’i shihte ishte viti 2005, ende pa përfunduar studimet.
“Nga një botë e bukur e plot ngjyra, kalova në një shpirt të huaj”, kështu e përshkruan Fjolla Muhaxhiri Agusholli periudhën pas humbjes së shikimit. Të mbyllur dhe pa vullnet për jetë e kujton veten aso kohe, por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Humbja e shikimit në moshën njëzetvjeçare nuk ia ndali ëndrrat, por i dha kuptim të ri jetës së saj.

Ditën e nis me falënderimet që këmbët prekin tokën e duart përgatisin ushqimin.
“Humbja e shikimit nuk do të thotë humbja e botës. Unë ndoshta nuk mund të shikoj, por jam shumë falënderuese që këmbët e mia prekin tokën, duart e mia marrin një gotë me ujë apo e pastrojnë fytyrën në mëngjes dhe e kam parë që ka më e vështirë dhe jam shumë falënderuese. Prej aty nis dita ime duke qenë shumë falënderuese dhe duke bërë një plan se çfarë do të bëj sot, duke filluar nga punët, pastaj mëngjesin, drekën, darkën dhe pa e lënë anash edhe shkrimin”…
Fjolla ishte diagnostikuar me diabet qysh në moshën trevjeçare. Kjo i shkaktoi verbërimin në vitin 2005.
Jam lindur në Gjakovë në vitin 1985 dhe fëmijërinë, shkollimin, të gjitha i kam kryer deri në moshën 20-vjeçare në qytetin tim të lindjes, në Gjakovë. Kurse pas vitit 2005, kur jeta ime ndryshoi, do të thotë, nga një botë e bukur me ngjyra plot, kalova në një shpirt të huaj, ku nuk e kam ndier as veten që jam unë ajo për disa kohë. Çdo gjë ka shkuar mirë deri në moshën 20-vjeçare. Filloi problemi me shikim dhe e humba komplet shikimin. Kam qëndruar e qetë, mirëpo ajo qetësi nuk ka qenë siç qëndron një njeri i qetë, por thjesht e ndjeja veten të pavlerë, por fatmirësisht po them që klithi shpirti dhe më tha ‘ngrihu’, ‘zgjohu’ dhe ‘duhet të jetosh’ e ‘ia vlen të jetosh përtej të gjitha sfidave që më goditën’.”
Familja, rrethi dhe shoqëria për Fjollën aso kohe kanë qenë shtyllë e fortë që të rikthehet në jetë. Megjithatë, ajo nuk e ndjente veten të barabartë për shkak të goditjes që pësoi.
“Unë jam person shumë aktiv edhe e vlerësoj sekondën, e lëre më minutën, orët e ditët. Edhe çdo moment e kam shijuar dhe kam punuar për të arritur aty ku kam dashur. Goditjet e këtyre sfidave që më shtynë të jem një person i verbër më kanë bërë që ta nënvlerësoj veten dhe të më duket vetja e pavlerë.”
Kjo gjendje nuk zgjati më shumë se gjashtë muaj, por për Fjollën pothuajse gjithçka filloi nga e para.
Fillova nga e para që të mësoj diçka që ishte e re për mua. Shpesh brenda meje më fliste ajo Fjolla e vogël dhe më thoshte “ja, edhe një jetë e re po rilind te ti” dhe “ti je duke u mësuar se si përgatitet ushqimi, si bëhen gjërat e jetës më tej”.
Ajo humbi shikimin pas tri viteve studime dhe nuk arriti të përfundojë universitetin.
“Në gjysmë e lash jetën e Fjollës në moshën 20-vjeçare, në pikun më të lartë ku kisha shumë ëndrra, shumë ambicie, shumë dëshira. Mendoja që nuk ka kufij apo limite për t’i realizuar. Ajo Fjollë aty vdiq, jo që u la në gjysmë, por vdiq dhe rilindi një Fjollë tjetër.”
Në një ulëse në dhomën e ndejës kalon pjesën më të madhe të kohës Fjolla Muhaxhiri-Agusholli. Me qindra faqe ka shkruar deri më tani, përmes së cilave motivon të gjithë personat e verbër.
Përkundër shumë vështirësive, ajo iu rikthye pasionit të vjetër, shkrimit. Pesë vjet më parë ajo mori pjesë në librin me 11 bashkautorë të tjerë, i cili titullohet “Kufijtë e pritjes”. Një vit më pas, edhe me një prozë poetike në librin “Rreshtat e bardhë”.
Disa vjet pasi humbi shikimin, në një rrëfim autobiografik, Fjolla ka shkruar romanin e saj të parë “Trëndafili që nuk e vyshkën stuhitë”.
“Fillova të shkruaj pjesë-pjesë një libër që unë mendoja të ishte me tregime. Pasi filloi me “Natën e Kanagjeqit”, thash pse nuk po provoj që ta shkruaj jetën time para lindjes, para ardhjes në jetë deri te martesa. Fillova me tregime, por nuk ngopesha me to, sepse doja çdo gjë, doja t’i citoja në fjalë. Fjalët bëheshin rreshta, rreshtat faqe, edhe pse jo kur mendoja që ky do të ishte një libër motivues për të tjerët që janë pas meje. Kështu që përfundova në roman autobiografik që është bërë promovimi i tij në vitin 2023, por para tij unë e botova një libër me poezi ‘Mbretëresha e natës’ në vitin 2022. Ai ishte libri i parë autorial ‘Mbretëresha e natës’ me poezi. Pastaj ishte ‘Trëndafili që nuk e vyshkën stuhitë’, e kam titulluar kështu sepse gjyshja ime e ndjerë çdo herë nuk më thërriste në emrin tim, por ‘trëndafili i gjyshes’.”
Ajo ka shkruar edhe dy libra të tjerë me tregime “Më fal shpirt” dhe “Më fal shpirt II”, me nga 12 tregime, të gjitha ndodhi reale.
“Inspirimin në fillimet e para e kam pasur natën, sepse e kam pasur një jetë pak më aktive dhe nuk e kam pasur hapësirën qysh e kam tani; kam jetuar në bashkësi me shumë anëtarë të familjes. Kështu që nata ishte qetësia ime shpirtërore dhe ngritja e muzës. Pastaj, në shtëpinë time të re, atëherë kisha mundësi që unë të shkruaj kurdo që unë kisha nevojë dhe e ndjeja që më ka ardhur ajo frymë që të shkruaj.”
Rrugëtimin e saj e ka ndriçuar përmes shkrimit, por rrugëve të qytetit nuk ndjehet edhe aq e sigurt. Nga familja dhe rrethi ajo nuk dëshiron të trajtohet me dhembshuri, por me respekt.
“Unë kot e mbaj shkopin e bardhë në duar, kur nuk kam hapësirë ku të eci. Nuk kam siguri të dal vetëm, nuk kam pasur asnjëherë. Çdo herë kam ecur me një familjar timin përkrah, apo në të shumtën e kohës me taksi apo me ndonjë familjar. Sepse nuk ndjehem e sigurt nëse unë ndodhem e vetme në një rrugë në qytetet e Kosovës. Nuk kam siguri ku të eci, edhe në bankë kur të shkoj, nëpër spital apo në Qendrën Klinike, kudo që të jem, unë nuk e di ku të drejtohem, sepse mungojnë këto shenjat për të verbër, siç mungojnë edhe për karrocat, njerëzit që janë në karrocë dhe për shumëçka. Duhet të jenë këto primare që t’ia lehtësojnë personit me aftësi të kufizuara të jetë i lirë të jetojë një jetë, e jo të jetë çdo herë i varur nga prindërit apo nga familjarët, sepse në fund të fundit edhe ata e kanë jetën e vet dhe bëhet dikur mjaft.”
Fjolla Muhaxhiri Agusholli nuk dëshiron të mbesë prapa me asgjë, prandaj kërkon nga institucionet mbështetje që të jetojë si të tjerët.
“Le të na mbështesin institucionet për infrastrukturën, për teknologjinë, për aparaturën që neve na nevojitet në jetë. Ka shumëçka, vendi ynë është shumë mbrapa me ato që unë kam pasur rastin t’i përjetoj në Zvicër apo në Itali…”
Fjolla Muhaxhiri Agusholli
Korrik 2025


