“Vargjet e zemrës”

11/24/2025

“Në çdo shkronjë, fjalë, varg, poezi më gjeni mua. Jam Blerina që rri zgjuar në mes kopertinave të këtij libri dhe i buzëqesh jetës. Lexues i dashur, sa herë e shfletoni këtë libër mua do të më gjeni përherë zgjuar. Zgjuar për ditë më të mira…”

Shkrim në njërin nga librat e Blerina Myrtezit

“Kam lindur e lirë dhe e lirë dua të jem. Kjo është ëndrra ime…”

E ulur në karrocë, me tre librat e saj në duar, Blerina ndjek me sy fëmijët që lozin pranë parkut. Zhurma e tyre e gëzueshme i sjell ndër mend një kohë të largët, para se të mbushte 15 vjeç – vitet kur gjithçka dukej e lehtë, përpara se jeta t’i hapte derën e një realiteti krejt tjetër.

Fëmijës së tretë të familjes Myrtezi filluan t’i shfaqeshin probleme shëndetësore, ku më vonë u diagnostikua me “Distrofi muskulare”, sëmundje e cila ia pamundësoi ecjen.

Rrëfimi i Blerina Myrtezit nis me kujtimet nga fëmijëria: plot jetë, shumë ngjyra, e pa kufi ëndrra.

“Unë jam Blerina Myrtezi, jam 32-vjeçare. Ky është tregimi im, unë nuk kam lindur si person me nevoja të veçanta. Në moshën 15-vjeçare, jam detyruar të ulem në karrocë. E kisha shumë të vështirë ta pranoja. Vështirë e kam pranuar, por me ndihmën e shoqërisë jam munduar ta pranoj. Shkollën fillore e kam mbaruar në shkollën ‘Dardania’ në Rakaj të Ferizajt e të mesmen një vit e kam mbaruar në Prishtinë në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim ‘Përparimi’”.

Asnjëherë nuk dëshiron të trajtohet si person me aftësi të kufizuara, as atëherë kur detyrohet të kërkojë të drejta dhe qasje, që në mungesë të tyre po i vështirësohet jeta.

Shkollën nuk pati mundësi ta vazhdonte, e sot e konsideron të pamundur edhe punësimin. Jeton vetëm me pensionin e caktuar për paraplegjikë e tetraplegjikë, një shumë e vogël që nuk i mjafton kurrë për të përballuar nevojat e përmuajshme.

“Edhe në karrocë nuk u ndala, nuk u ndala dhe vazhdova. Edhe sot prapë vazhdoj me të njëjtën, nuk kam dëshirë të ndjehem si person me nevoja të veçanta. Sepse e tillë nuk kam lindur, kam lindur e lirë dhe e lirë dua të jem. Kjo është ëndrra ime”.

Vargjet bartin peshën e gjithë asaj çfarë ndjen e dëshiron ta thotë Blerina. Me humbjen e vëllait, ajo përjetoi edhe një tjetër goditje në jetë.

Në vitin 2018, Blerina botoi librin e parë me poezi. “Guxo”, “Ëndrrat e mia”, dhe “Buzëqesh për të nesërmen”, janë tre titujt e librave të saj.

“Në vitin 2018 e mora titullin poete. Ajo çfarë më ka bërë që të fillojë të shkruaj është shoqëria ime. Më ka dhënë forcë edhe vdekja e vëllait, e kam cekur disa herë, vëllai im ka qenë arsyeja më e fortë që unë të mos dorëzohem, të ia dalë, të arrij këtu ku jam sot. E kam pak të vështirë të flas dhe t’i shpreh ato që i kam në zemër, prandaj i kam shkruar. Nuk jam ndalur, gjithmonë kam bërë ushtrime me shpresën se një ditë do të eci”.

Ajo që e mërzit më së shumti është kur njerëzit përreth nuk e përfshijnë ose e trajtojnë ndryshe.

“Është një sëmundje e lodhshme, e lodhshme sepse nuk më ka lënë të shprehi ato që ndjej. Njerëzit kur i shoh duke kaluar, më duket sikur ata nuk ekzistojnë, sikur me injorim po sillen me mua, nuk e di është shumë e çuditshme por unë e di se e kam një zemër të madhe dhe vazhdoj e nuk ndalem përsëri”.

32-vjeçarja, Blerina Myrtezi nga Ferizaj tashmë është në pritje të botimit të librit të katërt, në të cilin flitet për shoqërinë.

Blerina Myrtezi      

Qershor 2025