“Gjurmë të vogla”

11/27/2025

“Zot, vetëm duart m’i lërë dhe më jep forcë që të shkoj të punoj”…

Çdo ditë e saj nis me lutjet që ta ketë shëndetin. Frika dhe pasiguria e shoqërojnë kudo, të pandashme e ka edhe vetminë. E lodhur nga jeta e shëndeti i dobët, asaj patjetër i duhet të punojë për të siguruar kafshatën e gojës. Kujdeset edhe për vëllezërit, të dy me aftësi të kufizuara.

Me shtat të shkurtër Xhevrije Burovci nga Kamenica, për vite të tëra ka kërkuar një vend pune. Pesëdhjetë e njëvjeçarja në vazhdimësi është përballur me sfida e paragjykime për shkak të pamjes fizike.  

“Kam shkuar në shkollë 12 vjet, por normalisht që rrethi, shoqëria, fëmijët rrugës më kanë bullizuar. ‘Shih sa e vogël, e vogël, e vogël sa një gogël’. Shumë më kanë prekur, normal. Përveç kësaj, kur shkoja të takohem edhe që të punësohem, si më shikonin, nuk më pranonin në punë. Madje, njëra më tha: ‘S’je ti personi që po kërkoj’. Unë i thashë:‘Ti a manekene po kërkon apo me t’i bë punët?’”.

Tash e pesë vjet ajo banon në Prishtinë, fillimisht kishte punuar si rrobaqepëse. Sot, Xhevrija punon në fabrikën e letrës higjienike dhe ambalazhit të letrës “Freesia” në Lipjan, kompani ku të punësuar ka persona me aftësi të kufizuara, rreth njëzet kilometra larg Prishtinës.

Rrëfimi i saj flet për sfidat, shëndetin e dobët, përkujdesjen për vëllezërit dhe për paragjykimet e fyerjet nga rrethi.

Përveç nanizmit, një sindromë që pengon rritjen e zakonshme fizike, ajo përballet edhe me osteoporozë, sëmundje që ia ka dobësuar kockat dhe i shkakton dhimbje të vazhdueshme.

“Jeta ime nuk ka qenë e lehtë, si person me aftësi të kufizuara kam qenë e përqeshur, e bullizuar, e përbuzur prej njerëzve. Vështirë, në shtëpi ashtu, kunata, vëllai… Vështirë. I kam dy vëllezër edhe ata me aftësi të kufizuara, kanë mbet vetëm në shtëpi. Sepse ata na kanë lënë vetë [kunata dhe vëllai], dhe mua më është dashur që të vij në Prishtinë të punoj, për të mbajtur vetën dhe t’i ndihmoj dy vëllezërit që janë atje në Kamenicë. Vështirë boll. Unë jam me qira këtu, plus asaj që jam me aftësi të kufizuara jam edhe e sëmurë prej osteoporozës, eshtrat më kanë dalë shumë të dëmtuara edhe jam prej kolesterolit – yndyrën në gjak e plot e plot tjera, prej shtyllës kurrizore. Por duhet të bëhem e fortë dhe t’ia dal. Të shkoj të punoj, të vishem, të ushqehem, të shkoj në punë të kthehem dhe ta mbaj veten dhe vëllezërit”.  

Fëmijëria e saj ishte shumë e vështirë, përfshirë edhe kushtet e rënda ekonomike ku po rritej si fëmija i dhjetë në familje.

“Kemi qenë 10 fëmijë… Vëllai ka qenë me neve, me gruan dhe fëmijët edhe na ka lënë vetëm. Edhe tash mua më është dashur të vij dhe të gjej banesë vetë edhe të kërkoj e të gjej punë, të punoj e ta mbaj vetën dhe vëllezërit. Edhe ata janë me barna, duhet të bëjnë dru për dimër”.

“E kam mbledhur vetën, e kam ditur që patjetër duhet të mbijetoj, të punoj, të jetoj, nuk ke çare”…

Gruaja me shtat të shkurtër, jeton me pengun që nuk arriti të shkollohet e të bëhet mjeke, ëndërr që nuk arriti ta realizojë.

“12 vjet kam shkuar në shkollë; më pas nuk kam pasur mundësi të vazhdoj, sepse dëshirën e kam pasur shumë të madhe që ta vazhdoj shkollimin. Edhe tash kam tentuar para katër vitesh që ta vazhdoj shkollimin e të regjistrohem në fakultet, por nuk munda për katër pikë që të pranohem. Por edhe vështirë, nuk besoj që do t’ia dilja, sepse edhe në punë… po e shoh veten që po lodhem shumë.”

Frikë të madhe ka edhe kur është në rrugë, tregon se në shumë raste nuk ka forcë dhe e lëshojnë këmbët.

“Po ia dal me shumë vështirësi, plus me qira tash. Qysh jam unë e sëmurë prej sëmundjes së eshtrave, mund të më lëshojnë këmbët dhe të mbes në rrugë e të mos mund të ngrihem më. Shumë shpesh më ndodh, por kur e kaloj rrugën para veturave më ther këmba shumë. Nëse nuk ngadalësoj dhe nuk kam kujdes kur të eci, mund ta thyej këmbën dhe të mbes. Kush më shikon? Kush kujdeset për mua? Unë, qyqe, vetëm.”

Nga shteti ndihmohet me vetëm 120 euro pension si person me aftësi të kufizuara.

Mes lotëve rrëfen për jetën që po e bën si e vetme në Prishtinë, me brengën e madhe që t’u sigurojë të ardhura të dy vëllezërve me aftësi të kufizuara në Kamenicë. Ata i viziton çdo javë dhe u dërgon edhe ushqim.

“Është vështirë me ia dal, është qiraja, rruga. Një euro të shkoj dhe një euro të kthehem, qiraja 250 euro. Rryma, uji, mbeturinat, mirëmbajtja, shumë pak po më mbesin, unë edhe barna përdori. Vetëm barnat që i përdori 100 euro e më shumë. Nëse nuk i përdori ato më lëshon trupi… Është vështirë, se të bullizojnë edhe në autobus të bëjnë probleme, jo ashtu jo kështu. Shumë kohë e vështirë ka ardhur, jetë e vështirë. Nuk të kuptojnë njerëzit”.

Xhevrija, e cila është fëmija i dhjetë në familje nuk ndihmohet nga askush. Me netë të tëra rri zgjuar, e shqetësuar se si do të paguajë qiranë e banesës dhe kush do të kujdeset për atë në të ardhmen.

“Njerëzve u bëj thirrje që të ma bëjnë një zgjidhje për banim, që të mos e kem brengë kur të vijë koha e qirasë, si ta paguaj. Unë jam duke e pasur stres që bie diku në rrugë, rrëzohem dhe mbes e shtrirë. Kush ma paguan qiranë dhe kush më mban? Çdo ditë frikësohem dhe gjithmonë jam me stres, se kur po më thotë pronari ‘liroma banesën’. Para një muaji më ka thënë ‘liroma banesën se do ta rinovojë’. Si të gjej unë banesë, çfarë të bëj, si t’i bart gjërat? E sëmurë, e pafuqishme, e vetme.”

Lutjet e përditshme të saj janë që të gëzojë shëndet të mirë dhe të ketë mundësinë që të punojë. Nga institucionet e rrethi kërkon sigurimin e të paktën një dhome për jetesë.

“Veç një kulm me pas ku të jetoj, një dhomë. Mos ta kem brengë unë a po mund ta paguaj. Unë sëmurëm, mbes, nuk mund të punoj ndoshta edhe më shumë se dhjetë ose pesë vjet, varet si jam me shëndet. Vetëm një strehim, mos ta kem barrën që ta paguaj qiranë. Po them: ‘O Zot, vetëm duart m’i lër dhe më jep forcë që të shkoj të punoj’.”

Xhevrije Burovci                                                                                                     

Korrik 2025