Hapat drejt medaljes

12/01/2025

Koha për atë ka humbur kuptimin, e ditët e netët tashmë janë bërë një. Qëndrimi vetëm në shtëpi po e rëndon gjendjen e saj emocionale.

Pas dymbëdhjetë vitesh shkollim, Ema Kabashi pothuajse iu ka dhënë fund ëndrrave të saj, në pamundësi që të vijojë fakultetin. Kjo është historia e 19-vjeçares nga Fushë Kosova, e cila është e diagnostikuar me një ngecje të lehtë në zhvillim. Kampionia në skijim, edhe pse e re në moshë kujton me shumë emocion vitet e fëmijërisë.

Tregon se për kohë të gjatë ka qenë në depresion nga shtypja dhe përjashtimi që ka përjetuar nga bashkëmoshatarët e saj.

Ema Kabashi ka lindur më 4 janar të vitit 2006. Deri në klasën e dhjetë, mësimin e ka vijuar në shkollën “Mihail Grameno” në Fushë Kosovë, një vit në shkollën profesionale “Minatori”, e më pas në Qendrën Burimore “Përparimi”.

“Shoqëria më ka bullizuar shumë. Më thonin ‘ti nuk bën asgjë, ti vjen në shkollë veç hajt. Ti nuk ke as banesë e as shtëpi’. Më thonin ‘ti e ke fytyrën me akne’. Edhe në atë kohë unë kam shkuar te psikologia, i kam treguar psikologes që po më bullizojnë shumë rëndë, më thonin ‘e ke fytyrën e keqe me akne’. Në atë kohë u thoja prindërve që të ma ndërronin sa më shpejt shkollën sepse në shkollën fillore kam kaluar mirë por në shkollën e mesme në shkollën profesionale ‘Minatori’, aty jam ndjerë shumë keq, më vinte për të qarë”.

Jeta e Emës ndryshoi paksa pas transferimit në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Përparimi”, vendin ku fëmijët me aftësi të kufizuara, intelektuale e të shumëfishta marrin shërbim edukativo-arsimor. Aty thotë se filluan të dëgjohen mendimet e saj, e të dalin në pah edhe shkathtësitë.

Kimete Bekaj, arsimtare e Edukatës Fizike, vuri re aftësitë e Emës në skijim. Puna e saj e palodhur e çoi edhe drejt sukseseve.

“Ema ka qenë e jashtëzakonshme. E pata vërejtur potencialin në Brezovicë në skijim, filloi me elementet e para, ecjet nëpër mal dhe pjerrina. Kur ka hyrë me pjesën e dytë Ema ka qenë shumë e suksesshme. Në Torino këtë vit e fitoi medaljen e argjendtë edhe kjo. Ema për skijim është stolisur pesë herë në garat nacionale”.  

Paraprakisht, vajza nga Fushë Kosova ka kaluar një fazë të vështirë depresioni.

“Më kanë bërë të ndihem shumë keq, prandaj unë kam hyrë në depresion. Sepse mua kur të më rrok depresioni më dridhet trupi, me një fjalë që ma thotë dikush të keqe, unë ndjehem shumë keq. Unë jam e ndjeshme do të thotë, për çdo bullizim që ma bën dikush ose shoqëria ose dikush që as nuk e njoh. Por, familja më përkrah dhe më mbron çdo herë”.

Pas përfundimit të klasës së dymbëdhjetë, 19-vjeçarja po qëndron në shtëpi. Dëshira e saj e madhe është që ashtu si bashkëmoshatarët e saj të vijojë fakultetin. Por, kjo duket të jetë e pamundur…

Këtë po e vuan shumë edhe nëna e saj, Zejnija, e cila po jeton me brengën se ku do të përfundojë vajza e saj pasi ajo të vdes.

“Një pyetje ua kam bërë edhe mësuesve të Emës edhe drejtoreshës, ‘Ema po e përfundon shkollën e mesme çka më pas për këta fëmijë që kanë nevojë me i përkrah që derisa të vjen në kohën e tyre që të kenë vetëbesim, të kanë punësim’. Sa të jemi ne është në rregull por çka kur dikujt i mungon prindi, as nuk ka rrugë të tjera as të mësimit, as të punësimit, për neve kjo është brenga kryesore, që këta ku do të punësohen, ku do ta gjejnë vetën më tutje. Shumë është e vështirë…”

Gruaja mbi të pesëdhjetat flet edhe për vështirësitë financiare me të cilat po ballafaqohen si familje, dhe pamundësisë që në kohë të trajtohej Ema.

“Për mua si nënë ka qenë shumë e vështirë, kam qenë unë pa punë, burri pa punë, s’kemi pasur të ardhura ku me ditë sa. Është nevojitur mjekim, nevojitej më shumë me pas mundësi që të hulumtohej për rastin e saj. Ishte e pamundur, jetonim në një vend, paslufte kemi qenë pa të ardhura, pa asgjë. Te mjekët e psikologët e kemi pasur, por më tepër nuk kanë pasur mundësi që të zbulojnë”.

Për nënë Zejnijen e dhimbshme dhe e rëndë është çdo ditë që e sheh vajzën e saj duke qëndruar pothuajse e izoluar në shtëpi. 

“Ka qenë shumë e bullizuar, e pa përkrahur. Nuk ka qenë vajza gati, nuk kishte vetëbesim me qenë e lirë me dalë me shoqe, e pa shoqëruar, e vetmuar, qajke çdo herë. Këto vështirësi po vazhdojnë edhe tutje, pa përkrahje edhe institucionale dhe të gjitha. Vajza më thotë shpesh ‘çfarë të bëjë unë, ku të punësohem unë’, unë kushtet nuk i kam të mira që t’ia plotësojë çdo herë. Sa herë del kërkon, ku t’i marrë, nuk kemi të ardhura”.

Gjatë tërë kohës nënë e bijë qëndrojnë së bashku, meqë Zejnija frikësohet se Ema do të keqpërdoret nga rrethi. Ajo i bën thirrje shtetit që të aftësohet vajza e saj për punësim.

Edhe vetë Ema çdo ditë lutet që të ketë mundësi të vazhdojë me sportin dhe që një ditë të bëhet trajnere për fëmijë në skijim.

Ema dhe Zejnije Kabashi

Kimete Bekaj

htator 2025