“Sytë tanë flasin”

12/08/2025

Mëngjeset i fillon në praninë e komunitetit, në vendin ku të gjithë flasin gjuhën e saj. Përtej atyre mureve, çdo përpjekje për të komunikuar shpesh mbetet e kotë, dhe diskriminimi e bën edhe më të vështirë. Për Dritën, gjuha e shenjave është ura që e lidh me botën; përmes saj ajo ndjehet e barabartë.

Gjatë rrugës për në Shoqatën e të Shurdhërve në Prishtinë, ajo sheh me qindra njerëz, por gjithçka është e heshtur. Heshtja thyhet vetëm kur hyn në hapësirat që i frekuenton që nga vitet ’70. Nëna e dy fëmijëve, Drita Bejtullahu Toprlak ka lindur në vitin 1950 në një fshat pranë Gjilanit.

Nënën e kishte të shurdhër, ndërkaq babai ishte defektolog, specialist që ndihmon personat me aftësi të kufizuara të mësojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre.

Hapat e para i mori në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, tutje në Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren dhe më pas shkollën e lartë e përfundoi në Beograd.

“Kam punuar në shtypshkronjë disa vite, pas luftës kam filluar si mësimdhënëse në shkollën “Elena Gjika”, mësimdhënëse për fëmijët e shurdhër. Gjithashtu kam punuar edhe në Shoqatën e të Shurdhërve, jam hulumtuese e gjuhës së shenjave. Burri im ka qenë i shurdhër, kam dy fëmijë. Njëri dëgjon dhe është interpret i gjuhës së shenjave dhe vajzën e kam të shurdhër. Në familje kemi komunikim bilingual – dy gjuhësi”.

Drita, e cila tash e dy vjet është kryetare e Shoqatës së të Shurdhërve në Prishtinë, tërë jetën e saj ka avokuar për të drejtat e personave të këtij komuniteti.

Në institucione të ndryshme, ajo vazhdon të ballafaqohet me vështirësi në komunikim për shkak të mungesës së interpretëve.

“Shumë problem e kam pasur, shumë vështirë…Nëpër institucione e kam problem vetë pa interpret të gjuhës së shenjave. Prioriteti i komunitetit edhe sot është shkrim-leximi. Që 75 vjet është shkolla [Qendra Burimore ‘Nënë Tereza’ në Prizren] por prapë se prapë… edhe ne kemi pasur dëshirë që të integrohemi si tjerët nëpër universitete, punë të mira. Problem i madh është edukimi, i shoh njerëzit që dëgjojnë dhe flasin, kanë punë të mira, kanë universitete të ndryshme. Ne kemi tretman tjetër krejt, është problem shumë edukimi. Që nga fëmijëria, kur fëmija e merr edukimin, në fillim edhe e din shkrim leximin ai gjendet vetë. Por sistemi ynë i edukimit është shumë i dobët dhe gjithmonë hasim në barriera”.

Edhe pas shumë viteve shkollim, ajo nuk arriti të ndjekë ëndrrat e saj.

Unë financat i kam dashur shumë dhe e di që shumë herë iu kam ndihmuar kolegëve sepse e kam dashur matematikën, e kam dashur shumë. Por jeta…gjithmonë do të mbetemi pa u zhvilluar sa duhet dhe do të humbim ëndrrat tona ose ndonjë vend të mirë të punës”.

Asnjëherë nuk ka arritur të gëzojë as pensionin e aftësisë së kufizuar, përkundër asaj që me vjet të tëra ka ndjekur rrugën ligjore. E diskriminuar dhe e përjashtuar është ndjerë sa herë ka takuar persona jashtë familjes së ngushtë.

“Në familje kur jemi ulur si familjarë jo vetëm të ngushtë por edhe të tjerë, gjithmonë nuk kemi pasur qasje në informacione. I kemi pasur disa informacione shumë të shkurtra ‘a je mirë, si je, mirë’, edhe kaq nuk ka pasur muhabet më të madh në gjuhë të shenjave. Jam ndier e përjashtuar dhe e diskriminuar. Si në shoqatë që e ndiej veten shumë mirë me komunitetin tim, askund. Jam shumë e kënaqur kur hyj në komunitetin tim”.

75-vjeçarja e cila jeton në Prishtinë ndjehet krenare me gjuhën e shenjave, armën më të fortë që e ka pasur gjatë gjithë jetës.

“Më kujtohet një herë isha me burrin tim dhe të dytë të shurdhër, njerëzit kishin mbetur dhe na shikonin çuditshëm se çfarë janë këta njerëz që flasin me gjuhë të shenjave. Edhe janë habitur kur e kanë parë burrin tim duke vozitur, në gjithë botën edhe të shurdhrit vozisin. Kryesorja sytë janë për të parë, gjuhën e kemi. Ne informacionin e marrim prej syve. Sytë tanë flasin”.

Me lëvizje të duarve dhe shprehje të fytyrës, ajo ‘ngre zërin’ për edukimin dygjuhësor, duke thënë “Mos të humbin të rinjtë siç kemi humbur ne. Patjetër duhet të jetë ky edukim se përndryshe komuniteti i shurdhër do të përfundojë sërish pa shkrim dhe lexim”.

Drita Bejtullahu Toprlak

Korrik 2025

Shenim: Intervista është realizuar me ndihmën e interpretes Rukije Gashi