Edukimi përmes sportit, në fushën e lojës lind vetëbesimi

05/27/2026

Në një kohë kur fëmijët gjithnjë e më shumë po përballen me sfidat e izolimit, mungesës së aktivitetit fizik dhe ndikimit të teknologjisë në përditshmërinë e tyre, sporti mbetet një nga rrugët më të sigurta për edukim, zhvillim dhe ndërtim të vetëbesimit.

Ndonjëherë, mësimet më të rëndësishme nuk zhvillohen vetëm në bankat e shkollës — por edhe në fushën e lojës, aty ku fëmijët mësojnë të fitojnë, të humbin, dhe të besojnë në veten e tyre dhe të ecin përpara së bashku.

Dhe, për ta provokuar këtë ndjesi, Qendra për Inovacione dhe Zhvillim në bashkëpunim me shkollën fillore “Iliria” në Prishtinë, në kuadër të projektit: “Sporti për Edukim dhe Vetëbesim” I cili përkrahet nga Komuna e Prishtinës, organizoji mini turneun e futbollit ku zëri i fëmijëve dhe fryma e garës u bashkuan në një aktivitet që shkon përtej një turneu të zakonshëm sportiv.

Mbi 50 nxënës të klasave të para u bënë pjesë e një dite të veçantë futbolli, ku çdo rrëzim, pasim apo gol tregoi fuqinë që sporti ka në formimin e karakterit dhe krijimin e lidhjeve mes fëmijëve.

Ky mini turne nuk ishte vetëm një garë sportive, por një pasqyrë e qartë e energjisë, entuziazmit dhe dëshirës që fëmijët kanë për të qenë aktivë, për të bashkëpunuar dhe për t’u ndjerë pjesë e një ekipi. Në fytyrat e tyre shihej gëzimi i lojës, emocionet e çdo aksioni dhe krenaria për të përfaqësuar klasën apo shokët e tyre. Pikërisht aktivitete të tilla dëshmojnë se sporti mbetet një nga mënyrat më të mira për t’i larguar fëmijët nga rutina pasive dhe për t’i afruar drejt një jete më të shëndetshme dhe më sociale.

Përmes këtij organizimi, u pa qartë se sa shumë ndikim pozitiv ka sporti në zhvillimin emocional dhe shoqëror të fëmijëve. Ata jo vetëm që garuan, por mësuan të respektojnë njëri-tjetrin, të ndihmojnë shokun e skuadrës dhe të kuptojnë rëndësinë e disiplinës dhe përkushtimit. Ky aktivitet krijoi një atmosferë motivuese dhe frymëzuese, duke treguar se investimi në sportin për fëmijë është investim i drejtpërdrejtë në edukimin, vetëbesimin dhe të ardhmen e tyre.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Sporti për Edukim dhe Vetëbesim”, që po zbatohet nga organizata jo qeveritare, Qendra për Inovacione dhe Zhvillim, me mbështetjen financiare të Komuna e Prishtinës. Projekti ka për qëllim, promovimin e  edukimit joformal përmes sportit, për të nxitur stilin e shëndetshëm të jetesës dhe për të fuqizuar brezat e rinj përmes bashkëpunimit, disiplinës dhe respektit të ndërsjellë.