
Këso numërimi, bëhet edhe në gjuhë, të tjera brenda regjisë së Radiotelevizionit të Kosovës.
Shqiptarë, serbë, boshnjakë, goranë, turq, romë, ashkali e egjiptianë punojnë në shtatë redaksi në transmetuesin publik që është institucioni shembullor i bashkëjetesës dhe bashkëpunimit në mes komuniteteve.
Në korrik të këtij viti Jelena Gjurgjiq mbush 26 vite që është pjesë e RTK-së si gazetare në redaksinë serbe. Ajo vlerëson se shumëllojshmëria dhe harmonia mes kolegëve është mbresëlënëse, pasi gazetarët e redaksive në gjuhët e pakicave dhe ata të redaksisë shqipe punojnë çdo ditë ngushtë me njëri-tjetrin.
Si shembull i përmendet rastet e shpeshta kur në terren shoqërohet me kameraman e vozitës shqiptar.
Në teren unë jam gjithmonë me kolegun që është vozitës, shqiptar, dhe me kameramanin që është shqiptar. Ne kemi gjithmonë tregime kaq interesante sepse plotësohemi, ata më ndihmojnë mua, unë i ndihmoj ata në komunikim, merremi vesh. Pa ata nuk do të mund të arrija të ndërtoja gjithë këtë që kam ndërtuar për 26 vite. Jam shumë mirënjohëse për të gjithë këtë sepse kolegët e mi kanë bërë nga unë këtë që jam sot – gazetare. Dhe këtë me plot të drejte mund ta them sepse lëvizjet e mia nëpër Kosovë janë në të gjithë territorin, dhe sa i përket bashkëbiseduesve kam edhe nga ana shqiptare, natyrisht edhe serbë, por dua të them se kurrë nuk ka pasur asnjë problem, gjithçka ka qenë në nivel”, shprehet Djurdjic.
Bashkëpunimin mes kolegëve pavarësisht përkatësisë etnike, tash e 12 vjet e përjeton edhe flet edhe gazetari nga redaksia në gjuhën shqipe, Visar Shatrolli.
Ai thekson se gjatë gjithë kësaj kohe nuk është hasur në asnjë telash brenda kolektivit.
“RTK është një shembull i mirë se si duhet të bashkëpunohet përmes komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë. Është një shembull praktikë se si punojmë në praktikë gjatë gjithë ditës shembull materialet si i këmbejmë mes vete. Zakonisht ngjarjet që ndodhin…shkojmë në terren gazetarët ne të komunitetit shqiptar e sjellim e vendosim në sistem mandej të gjithë materialin që e kemi marr në terren e përdorin komunitetin brenda redaksisë për lajmet dhe nevojat e tyre. Është një bashkëpunim shumë i mirë, shumë korrekt dhe deri më tani për 12 vite sa jam këtu nuk ka pas ndonjë problematik”, theksoi Shatrolli.
Redaksia e gjuhës rome e cila është hapur nga viti 2003 fillimisht kishte vetëm 2 gazetarë, një moderator lajmesh, një kameraman dhe një redaktor emisioni. Por, si e tillë ishte ndër të parat në botë me program ditor në këtë gjuhë. E që nga fillimi pjesë e saj, ishte Daut Qulangji.
“Na bënë të parët që jemi në botë që kemi emisione ditore në Radio Televizionit Publik sepse në mbarë botën nuk ka pas deri tani në gjuhën rome…Ndihemi krenar me këtë punën që e bëjmë këtu fal bashkëpunimit që e kemi me gjithë kolegët edhe të redaksive të tjera dhe menaxhmentit kemi arritur këtë kulmin profesionalizmit në RTK dhe jemi shembull jo vetëm në Kosovë për gazetar të rinj, por jemi shembull edhe për vendet tjera”, theksoi ai.
Për Haris Alian, gazetarin nga redaksia boshnjake, RTK është pasqyrim i Kosovës së vërtetë. Kjo, edhe për faktin se bashkëpunimi mes kolegëve nuk kufizohet vetëm në punë, por vazhdon edhe jashtë saj.
“Duke qenë se jetoj në Prishtinë, shihem shpesh me të gjithë kolegët, edhe me shqiptarët edhe me komunitetet e tjera. Kështu që bashkëpunimi dhe multikulturalizmi ynë nuk bazohet vetëm në marrëdhëniet e punës, por edhe jashtë televizionit. Kam shumë miq nga të gjitha komunitetet me të cilët shoqërohem, pimë kafe e kështu me radhë”, u shpreh ai.
E që nga themelimi, RTK e ka edhe redaksinë në gjuhën turke, e cila u shërben qytetarëve turq në Kosovë duke ofruar program në gjuhën e tyre amtare.
Para tre viteve kësaj redaksie iu bashkua gazetari, Ensar Ismail i cili ushtrimin e profesionit e nisi në radio. Por, menjëherë ishte ambientuar me mjedisin shumë-etnik të punës.
“ Të krijojmë lajme në një agjendë të përbashkët së bashku me të gjitha komunitetet dhe t’ua përcjellim ato komuniteteve, për ne është një përparësi e madhe. Mundësia që problemet dhe çështjet e komuniteteve të ndryshme të transmetohen njëkohësisht në një televizion është vërtet një nga shembujt e rrallë jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Kjo na ndihmon të kontribuojmë tek njëri-tjetri. Problemet e komunitetit tonë mund t’ua përcjellim drejtpërdrejt redaksive të tjera, qoftë redaksisë në gjuhën shqipe, asaj boshnjake apo të tjerave. Ky bashkëpunim dhe ndërveprim mes nesh tregon se RTK-ja dallon shumë nga shumë transmetues të tjerë në botë dhe për këtë ndihemi vërtet jashtëzakonisht krenarë”, deklaroi ai.
Sekreti i bashkëpunimit të mirëfilltë dhe të ndërsjellë sipas redaktores së programit të komuniteteve, Rabisha Muhaxhiri është tek kultura e punës, ndërsa shumëgjuhësia për këtë medium konsiderohet krenari.
Sipas saj brenda RTK-së ekziston një bashkëjetesë e vërtetë mediatike mes redaksive, ku bashkëpunimi i përditshëm ndërmjet komuniteteve dhe gjuhëve të ndryshme është shumë i fortë.
Ajo shton se përveç punës profesionale, ekziston edhe një raport i afërt jashtë kamerave, me respekt për kulturat, traditat dhe festat e njëri-tjetrit, duke e bërë ambientin e punës më të ngrohtë dhe më funksional.
“Realisht është një bashkëjetesë e vërtetë në aspektin mediatik, edhe pse shumica prej tyre tani punojnë më shumë se 20 vjet dhe thirremi edhe në gazmend e dasma e ngjarje të ndryshme të jetës së përditshme. Punohet në një dhomë të lajmeve, e keni parë atë moment, dhe aty gjithmonë është këndshëm të të hyhet, edhe kur e ke ndonjë mesazh, ndoshta pak urdhërues, sepse gjithmonë përveç diverzitetit gjuhësor, ka edhe diverzitet të identiteteve, të kulturës, traditave…. Bajrame e festa të ndryshme sjellin nga shtëpitë urimet, ndonjë ëmbëlsirë. Gjithmonë po flas për këtë çështjen jashtë programit. Në program është bashkëpunimi definitivsht i shkëlqyeshëm dhe kjo ndikon shumë në punën e përditshme të redaksive. Por, një plus i madh dhe një falënderim i madh gjithmonë është ndaj mazhorancës, këtë herë kuptohet ndaj redaksisë, redaksive të shumta në gjuhën shqipe, të cilët i kanë mirëpritur komunitetet dhe kanë pasur mjaftueshëm edhe interes, edhe e kanë luajtur nikoqirin e mirë dhe janë pritur mirë, përkundër që ndoshta dikush nuk e ka ditur mjaft mirë gjuhën shqipe”, u shpreh ajo.
Radio Televizioni i Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe vendosjes së UNMIK-ut, administratës ndërkombëtare nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Sot, RTK funksionon si shërbim publik mediatik me kanale televizive, radio dhe platforma online, me mision informimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë në gjuhët e tyre amtare.
Kjo storie është realizuar nga Qendra për Inovacion dhe Zhvillim -CFID dhe Kosovapress, në kuadër të një projektit të përbashkët me UNMIK-un që synon ndërtimin e mirëbesimit në mes të komuniteteve në Kosovë.
https://www.youtube.com/watch?v=yNtEn8O-R_g


