Tifozët i bëri për vete me gola të bukur.
E krahas lojës së mirë, është edhe fanella ajo që në fushën e futbollit është më e rëndësishme se përkatësia etnike.Kësisoj për futbollistin e ri Belgin Jashari, sporti u bë vendi ku gjeti mbështetje, respekt dhe besim.
Kjo u dëshmua edhe pasi djaloshi ashkali u sulmua fizikisht e verbalisht gjatë një ndeshjeje për shkak të përkatësisë së tij etnike.
Reagimi i bashkëlojtarëve, klubit dhe komunitetit sportiv u shndërrua në një mesazh të qartë kundër paragjykimeve dhe në mbështetje të bashkëjetesës.
“Ekipi në atë moment më ka pritur shumë mirë. Më kanë parë të njëjtë, nuk e kanë bërë dallimin. Më kanë të gjithë më përpara më kanë shtyrë, më kanë dhënë motiv e shumë gjëra të gjithë. Ka qenë ekipi që më ka dhënë motiv edhe me vazhduar përpara”, tha ai.
Mbështetja që mori nga bashkëlojtarët, futbollistët dhe qytetarët ia forcoi bindjen se paragjykimet mund të mposhten kur njerëzit qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.
“Jam ndier shumë mirë se s’e kam pritur. Edhe jam ndier shumë mirë se tani më kanë përkrahur edhe futbollistët me përvojë si të Kosovës, si të kombëtares së Shqipërisë. Më ka bërë me u ndier edhe gjëja më e mirë që tani edhe Edon Zhegrova më dhuroi këpucët e tij. E falënderoj shumë. Tani kanë qenë, edhe njerëzit që më kanë thirrur nëpër darka, dreka. Janë munduar që unë të ndihem mirë dhe ta harrojë rastin”, tha ai.
Rrugëtimin drejt futbollit, Belgin Jashari e nisi te KF Fushë Kosova, fillimisht si mbledhës topash. Pikërisht aty, trajneri vuri re talentin e tij dhe i hapi rrugën për t’u bërë pjesë e ekipit.
Sot, ai është një prej futbollistëve të rinj më premtues.
“Për futboll, ia kam nisur njëherë si i vogël me e këqyr Fushë Kosovën duke luajtur, edhe duke u inkuadruar në Superligë. Më pëlqeu si ekip edhe me shoqëri erdha me këqyrë për qejf. Edhe trajneri i klubit më mundësoi për me i mbledh topat, si mbledhës i topave. Edhe qaty erdhi një aksion i ekipit kundërshtar, unë e mora topin për me mbajt, para se me ia kthy një shokut tjetër. Ia nisa unë duke dribluar, duke bërë veç teknikë, skills, duke provuar. Edhe tani me kalimin e kohës më ka parë drejtori. Çdoherë të njëjtën kohë më shihte duke bërë skills… Edhe më bindi për me ardh, me ia nis me ushtru. Tani kur ia nisa me u stërvit, për mua më ka dukur shumë e gëzueshme. Me të gjitha mundësitë e mia jamë munduar veç sa me dhënë, sa më të mirën time… Mua gjëja që më ka pëlqyer më së shumti ka qenë kur trajneri më ka besuar më së shumti prej krejtve. Gjithë e kam pasur dikë, për shembull si krahët e majtë ose të djathtë e kam pasur trajnerin, Artan Reshitin”, tha ai.
Edhe te shkolla e futbollit Pro Prishtina, dallimet mbeten jashtë vijave të fushës së gjelbër.
Fanella për ta është e njëjtë për të gjithë, ndërsa gjuha që i bashkon është vrapi pas topit.
Aty, bashkëjetesa nuk mësohet në teori, por ndërtohet në çdo pasim, në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje.
Trajneri Shkumbin Sopjani thotë se në akademinë e themeluar në vitin 2021, nuk ka vend për ndarje etnike, por vetëm për talent, disiplinë dhe respekt.
“Kemi fëmijë të komuniteteve të ndryshme. Unë jam shumë krenar me arritjet e tyre. Një prej tyre qe Bilalli. Bilalli është një lojtar i cili nesër do të na bëjë krenar, me shpresë që do t’i përfaqësojë ngjyrat e kombëtares tonë. Kemi edhe disa të tjerë. Unë jam shumë i kënaqur me ta, sidomos me sjelljet, i kanë korrekte. Edhe në Pro Prishtinë ekziston ajo fryma që të gjithë janë nën ombrellën e Pro Prishtinës edhe të gjithë luftojnë për flamurin e Pro Prishtinës. Këtu nuk ka ndarje etnike, janë të gjithë një familje edhe të gjithë e kalojnë mirë. Ne kemi marrë pjesë edhe në turne ndërkombëtare, të cilët kanë marrë pjesë edhe minoritetet. Edhe me shpresë që edhe kjo edhe në të gjitha turnet kur kemi qenë, na kanë prezantuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe jam krenar që kemi në shkollën tonë të futbollit Pro Prishtina edhe komunitete të tjera“, tha ai
Për Sopjanin, kjo frymë është forcuar edhe më shumë vitet e fundit.
Ai thotë se hezitimi i fëmijëve nga komunitetet për t’u përfshirë në sport ka rënë ndjeshëm dhe se dallimet etnike po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga respekti dhe bashkëpunimi.
“ Me thënë të drejtën, duke pasur parasysh se unë jam vetë pjesë e një shkolle që kanë pjesë… marrin pjesë edhe komunitete të ndryshme, lirshëm mund të them që kjo veç është zhdukur fare. Jo për të mirë, po ka ndryshuar shumë, shumë, shumë për të mirë. Nuk ekzistojnë më ato ndarësi “ti je kështu” ose “ti je ashtu”. Kryesorja është që të gjithë fëmijët janë të barabartë edhe me shpresë që në të ardhmen as nuk do të me diskutuar kjo temë... “, tha ai
Për trajnerin e Pro Prishtinës, sporti është një nga mënyrat më të mira për t’i bashkuar fëmijët dhe për t’i mbajtur larg paragjykimeve.
“Mesazhi im i tyre do të jetë një mesazh shumë i qartë: Sa më shumë të merren me sport. Sporti është një mundësi që i me socializon fëmijët, sporti është një mundësi që i aftëson për jetë, i përgatit për jetë fëmijët, i përgatit edhe si me u sjell në shoqëri, si me u sjell në rrugë, si me u sjell gjithkund. Edhe sporti është që i largon prej disa rrugëve të cilat nuk bën fëmijët me qenë në to”, tha ai
Në mesin e lojtarëve të talentuar të PRO Prishtina është Bilall Stollaku, pjesëtar i komunitetit egjiptian.
Për të, futbolli nuk është vetëm aktivitet sportiv, por edhe vendi ku krijohen miqësi dhe kalohen momentet më të mira me bashkëlojtarët, sidomos gjatë stërvitjeve.
“Më së shumti bëjmë stërvitje të kondicionit dhe lëvizje me top….Këtu kalojmë shumë mirë. Bëhemi gati për stërvitje, hipim në kombi, bëjmë shaka me shokët dhe kënaqemi bashkë”, tha ai.
Pjesë e këtij klubi është edhe 11-vjeçari Adis Mustafa, nga komuniteti rom i cili pohon se pritja që mori nga shokët në fillim do t’i mbetet gjatë në kujtesë.
“Shumë bukur, këndshëm. Shumë… që e kanë ditë që jam nga komuniteti, më kanë gëzuar shumë se kanë thënë s’ke nevojë me u tutë, s’ke nevojë asnjë send, na t’mbrojmë ty. Janë shumë të sjellshëm dhe nuk bën me u sjellë me kërkend keq”, tha ai.
Për të, miqësitë e krijuara në klub vazhdojnë edhe jashtë stërvitjeve, ndërsa mesazhi i tij për bashkëmoshatarët është që të mos heqin dorë nga pasioni dhe talenti i tyre, pavarësisht përkatësisë etnike.
Të njëjtin mesazh e përcjell edhe Erdis Sopjani, i cili stërvitet në Pro Prishtina prej gjashtë vitesh.
“Unë i kam pasë 5 vjet, tani ia kam nisë futbollit me u stërvitë në bar të thjeshtë, tani ia kam nisë profesionalisht nëpër ekipet të futbollit… Është krejt e drejtë, krejt e njëjtë, i respektojmë a… nuk ka ndonjë barazi. Ne i kemi pranuar mirë, i kemi përshëndetë me zemrat tona, i kemi folë mirë, i kemi dhënë kurajo”, tha ai.
Edhe Kron Bekolli beson se futbolli i bashkon fëmijët pavarësisht përkatësisë së tyre. Ai thotë se në ekip nuk ka vend për paragjykime.
“Bashkëpunimi me ta është shumë i mirë, domethënë kalojmë shumë mirë me ta, nuk kemi ngatërresa. kam munduar me i dhënë edhe shembull të tjerëve, domethënë që me i afruar nga veti domethënë sepse edhe ata janë të njëjtë si ne”, tha ai.
Përfshirja e fëmijëve nga komunitete të ndryshme në sport nuk mbështetet vetëm nga klubet, por edhe nga komuna e Fushë Kosovës.
Drejtori i Sportit, Ylber Kelmendi, thotë se në klubet e qytetit tashmë është bërë normale që pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme të stërviten e të garojnë së bashku.
“Jo, nuk ka pasur ë probleme, nuk ka probleme. Pra janë të mirëpritur jashtëzakonisht ë shumë. Kështu që edhe tek Klubi i Futbollit Fushë Kosova ka ë futbollistë në grupmoshat e reja që janë pjesë ë që janë pjesë e komunitetit dhe luajnë bashkë me shqiptarët. Po ashtu kemi edhe tek klubet ë tjera, për shembull tek Shkolla e Futbollit Pro Prishtina ka futbollistë të komuniteteve edhe janë të shkëlqyeshëm dhe nuk ka asnjë ndarje mes ë shqiptarëve dhe komunitetit të ashkalive dhe egjiptianëve“, thotë Kelmendi.
Ai vlerëson se me kalimin e viteve bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve në sport është forcuar edhe më shumë, pasi klubet kanë krijuar një mjedis ku të gjithë fëmijët trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Mendoj që e kanë parë që nuk ka problem edhe të gjithë janë ë të barabartë. Prandaj sepse shumica e shqiptarëve ë edhe klubet sportive që janë që udhëhiqen nga shqiptarët shumica tash po i presin në mënyrë fantastike, kështu që nuk ka nuk ka ndonjë dallim. Ata të cilët dëshirojnë të punojnë, ata të cilët dëshirojnë të merren me sport i kanë dyert e hapura dhe e kanë mbështetjen e Komunës së Fushë Kosovës“, shton ai.
Kelmendi njofton se komuna pritet të përfitojë edhe nga një program i mbështetur nga UEFA, përmes së cilit, ata do të kenë mundësi të stërviten falas dhe të pajisen me pajisjet e nevojshme sportive.
Në fund, mesazhi që vjen nga fusha e futbollit është më i fortë se çdo paragjykim.
Historia e Belgin Jasharit, miqësitë e krijuara në Pro Prishtina dhe mbështetja e institucioneve lokale dëshmojnë se sporti mund të ndërtojë ura aty ku dallimet shpesh krijojnë ndarje.
Sepse, kur topi nis të rrotullohet, fanella bëhet identiteti i vetëm që ka rëndësi.
Kjo storie është realizuar nga Qendra për Inovacion dhe Zhvillim -CFID dhe Kosovapress, në kuadër të një projektit të përbashkët me UNMIK-un që synon ndërtimin e mirëbesimit në mes të komuniteteve në Kosovë.


