Lagjet 028 e 029 në Fushë Kosovë, me reduktime të ujit që një vit

04/21/2025

Tash e një vit banorët e lagjes 028 dhe 029 në komunën e Fushë Kosovës po përballen me reduktime të ujit. E përveçse ka tërë kohën reduktime edhe uji është i papijshëm.

Përfaqësuesi i komuniteteve, Bashkim Krasniqi ka thënë për KosovaPress se problemet me furnizimin e rregullt me ujë priten të rregullohen me vendosjen e rrjetit të ujësjellësit të ri, punimet e të cilit.

“Problemi i ujit që është në përpunim, shumë shpejt pritet të përfundojë. Ende nuk është kryer edhe pse ujësjellësi ka qenë më herët, mirëpo ka pasur reduktime. Kohë pas kohe ka ardhur (uji), kohë pas kohe është ndalur, mirëpo tash është duke ardhur rrjeti i ujësjellësit i ri. Është projekt dyvjeçar, nuk e di për sa kohë do të kryhet dhe besoj që pastaj do të ketë ujë”, ka thanë Krasniqi.

Krasniqi ka shprehur pakënaqësinë e banorëve të këtyre lagjeve me reduktimet e ujit të pijshëm dhe cilësinë e tij.

“Është e vërtetë që ka ankesa, sepse kohë pas kohe ka reduktime dhe qytetarët kanë nevojë që të kenë ujë 24 orë, nuk janë të kënaqur që ka reduktime… Përveçse ka reduktime dhe uji është i papijshëm”, ka thënë ai.

Derisa ekipi i KosovaPress vizitoi të dyja lagjet, banorët kishin ankesa rreth reduktimeve me ujë, por të njëjtit nuk pranuan të prononcohen para kamerave.

KosovaPress i ka dërguar email Komunës së Fushë Kosovës për të marrë përgjigje në lidhje me ankesat e banorëve të lagjeve 028 dhe 029, por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

(Ky produkt është krijuar në bashkëpunim midis CFID dhe KosovaPress, brenda kuadrit të projektit: “Kundërshtimi i stereotipeve negative për komunitetet Roma, Ashkali dhe Egjiptianë të Kosovës përmes iniciativës mediatike”, i cili financohet nga UNMIK).