Gjendja e rëndë në lagjen e romëve në Graçanicë, banorët ankohen për mungesë kanalizimi

04/28/2025

Banorët e lagjes së romëve në komunën e Graçanicës janë duke përjetuar një situatë të rënduar me infrastrukturë dobët. Përveç kësaj, banorëve të kësaj lagje iu mungon kanalizimi, dhe  kjo ua bënë jetën më të vështirë për të jetuar. Madje, për këtë ata vazhdimisht bëjnë ankesa dhe kërkojnë ndihmën e autoriteteve,

Kundërmimi nga mungesa e kanalizimit është bërë i padurueshëm për Faton Ajetoviq, i cili ka theksuar se ka gati një muaj që kanalizimi është i bllokuar. Ky banor druan se fëmijët janë të rrezikuar edhe nga sëmundjet infektive.

Ndonëse kanë kërkuar ndihmë nga komuna e disa ekipe të Prishtinës, Ajetoviq tha se u përpoqën ta debllokojnë atë, por për ta ishte e pamundur dhe u larguan pa gjetur një zgjidhje për banorët e kësaj lagjeje.

“Ka gati një muaj që kanalizimi është i bllokuar. Kjo është e gjitha, ujëra të zeza dalin nga kanalizimi në oborrin e njeriut, dhe kjo është një erë e tmerrshme. Fëmijët mund të infektohen. Një ekip nga Prishtina erdhi para një muaji, u përpiqen për pesë a gjashtë minuta, por nuk arritën të debllokojnë kanalizimin dhe u larguan. Këtu ka probleme me kanalizimin në rrugën tjetër gjithashtu, dhe askush nuk ka ardhur të shohë se si mund të rregullohet kanalizimi. Kjo është një turp për zyrtarët tanë komunal që duhet të vijnë dhe të shohin këtë situatë me kanalizimin, sepse fëmijët dalin në rrugë dhe shëtisin, dhe gjithçka është kanalizim”, ka thënë Ajetoviq.

Një banor tjetër i kësaj lagjeje, Fikret Berisha ka treguar shqetësimin e tij me komunën e Graçanicës, e cila nuk po i mbështet si komunitet.

“Kemi problem me komunën e Graçanicës, nuk po e mbikëqyrin hiç lagjen e romëve, që një muaj jemi keq me një kanalizim, as nuk vjen me këqyr dikush. Fëmijët nuk kanë ku me kalua e me shkua në shkollë, katastrofë. Po i vjen era kanalizimit, nuk po mundet njeri as me kalua, as me ndenjur jashtë, tash është vera, nuk bën të vije era kështu. Kjo është sëmundje”, ka shtuar Berisha.

Një tjetër banor, një burrë i cili nuk dëshironte të prononcohej për KosovaPress dhe të mbetej anonim për publikun, ka treguar se gjendja është mjaft keq, por sipas tij, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë nga autoritetet për të përmirësuar situatën.

“Nuk vjen askush me e rregullua. Po vinë e po thonë do ta bëjmë këtë atë, pastaj nuk po ka asgjë. Këtu është vështirë shumë, jemi gati 140 shtëpi”, ka thënë një banor prapa kamerave.

Ndërsa, nga Komuna e Graçanicës kanë thënë se kjo komunë ka ndërhyrë disa herë në rrjetin e kanalizimit në lagjen Rome në Graçanicë.

“Përveç vendosjes së kapakëve të rinj, pasi ato metalike të vjetrat ishin vjedhur, kemi kryer pastrim dhe gërmim manual, si dhe zëvendësim të gypave të kanalizimit. Banorët e lagjes Rome janë të pakujdesshëm dhe nuk e përdorin siç duhet kanalizimin, duke hedhur objekte të ndryshme që shkaktojnë bllokime të shpeshta. Theksojmë se mirëmbajtja e rrjetit të kanalizimit është në kompetencë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, pasi shërbimi i kanalizimit paguhet bashkë me faturën e ujit. Komuna ndihmon dhe ndërhyn gjithmonë kur Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk arrin ta zgjidhë problemin”, thuhet drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Graçanicës, Vladica Trajkoviq në Komunën e Graçanicë

(Ky produkt është krijuar në bashkëpunim midis CFID dhe KosovaPress, brenda kuadrit të projektit: “Kundërshtimi i stereotipeve negative për komunitetet Roma, Ashkali dhe Egjiptianë të Kosovës përmes iniciativës mediatike”, i cili financohet nga UNMIK).