Në Prishtinë po mbahet forumi tematik “Zërat e të rinjve në Ballkan: Forumi i Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian”. Ky forum organizohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim në kuadër të projektit “Angazhimi i të Rinjve për Evropianizimin e Ballkanit’”. Të hënën në hapësirat e “Europe House”, të rinj e të të reja nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, përfaqësues institucional e pjesëtarë të shoqërisë civile, kanë diskutuar për integrimin evropian.

Ky projekt financohet nga Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe realizohet nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) nga Maqedonia e Veriut, Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) nga Kosova dhe organizata joqeveritare “NVO Glas” nga Mali i Zi.
Në hapje të këtij forumi, koordinatorja gjenerale e Qendrës për Inovacione dhe Zhvillim (CFID), Drenusha Latifi tha se synim mbetet që qytetarët të kuptojnë vlerat e Bashkimit Evropian. “Qëllimi ynë është të mbështesim demokracinë, të luftojmë lajmet e rreme dhe të ndihmojmë njerëzit të kuptojnë vlerat e Bashkimit Evropian. Ndërsa vendi ynë afrohet gjithnjë e më shumë me BE-në, është më e rëndësishme se kurrë të qëndrojmë për të vërtetën, lirinë dhe përgjegjësinë. Fatkeqësisht, shohim shumë informacione të rreme që i bëjnë njerëzit të ndihen të hutuar ose të frikësuar. Prandaj jemi këtu – për të punuar së bashku, për të ndarë histori të vërteta dhe për të ndërtuar besim. Media ka një rol të madh në këtë. Gazetaria e mirë i ndihmon njerëzit të qëndrojnë të informuar, të bëjnë pyetje dhe të marrin pjesë në demokraci. Na ndihmon të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të ecim përpara si shoqëri”, ka thënë ajo.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës “NVO Glas” në Mal të Zi, Milica Dediq theksoi se integrimi evropian është transformim politik, kulturor e shoqëror.
“Roli i gazetarisë dhe i komunikimit është vendimtar. Media formëson perspektivat tona, na ofron hapësirë për dialog dhe mund të dobësojë ose forcojë besimin. Nëse duam të afrohemi me Bashkimin Evropian, duhet të nxisim edukimin medial, të luftojmë dezinformimin dhe të inkurajojmë debat transparent e konstruktiv. Vetëm kështu vlerat evropiane si liria, demokracia, solidariteti dhe respekti për diversitetin mund të bëhen realitet. Integrimi evropian shpesh shihet si proces kompleks, por në thelb është një transformim politik, kulturor dhe shoqëror. Për Ballkanin Perëndimor, nuk është vetëm një aspiratë politike – është edhe një detyrim gjeneracional. Ky projekt rajonal dhe forumi i sotëm na kujtojnë se europianizimi dhe integrimi nuk mund të arrihen në izolim. Ato kërkojnë bashkëpunim rajonal, mësim të ndërsjellë dhe guxim për t’u përballur me sfidat së bashku. Duke punuar krah për krah, ne tregojmë se nuk ka kufij për bashkëpunimin – ne krijojmë ura të reja”, u shpreh ajo.

Drejtori i programit nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), Lorik Idrizi tha se projekti synon luftimin e dezinformatave.
“Qëllimi kryesor i projektit është të luftojmë dezinformimin, sepse e dimë që shumë fjalime dhe narrativat janë të tilla; për shembull, bëjmë shumë, por Evropa nuk duket se dëshiron t’i sjellë rezultatet tek ne… Kemi Ukrainën që është në luftë, por ata po vazhdojnë me procesin e integrimit. Bullgaria nuk është aq e avancuar sa Maqedonia e Veriut, por megjithatë është pjesë e Bashkimit Evropian. Por të gjitha këto janë vetëm justifikime sepse disa vende të Ballkanit nuk e kanë bërë “detyrën e shtëpisë” për procesin e integrimit. Për shembull, kemi përgatitur edhe raportin e fundit të hulumtimit në Maqedoninë e Veriut dhe pamë gjetjet kyçe ku kemi humbje të madhe në lidhje me të rinjtë dhe angazhimin e tyre, por zbatimi është ende larg realitetit. Ne duam të krijojmë narrativat tona dhe mendoj se kemi bërë një punë të mirë me projektin”, tha ai.

Koordinatori i projektit nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID), Andi Krasniqi ka listuar sfidat dhe shqetësimet e të rinjve për punësim.
“Të dhënat më të fundit tregojnë papunësinë e përgjithshme rreth 10.8%, dhe papunësinë e të rinjve rreth 16%. Por ka një sqarim për t’u bërë. Zyrtarisht, Agjencia e Statistikave të Kosovës ndjek metodologjinë dhe ligjet e Eurostat-it. Në letër, statistikat e bëjnë të duket sikur gjithçka është në rregull. Por në realitet, ato janë mashtruese. Pse? Sepse në Kosovë papunësia nuk sjell asnjë mbështetje. Në BE, papunësia shpesh do të thotë që merr 70–80% të pagës tënde derisa të gjesh sërish punë. Në Kosovë, nuk merr asgjë. Edhe pas shumë viteve pune, humbja e punës nuk sjell asnjë përfitim. Shumë të rinj as nuk regjistrohen si të papunë, sepse nuk ka arsye. Në vend të kësaj, ata tërhiqen nga tregu i punës. Këtu është i rëndësishëm treguesi NEET. Në Kosovë, më shumë se 33% e të rinjve janë NEET — as në punë, as në arsim, as në trajnim”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, ky realitet i shtyn të rinjtë që të lënë Kosovën, ku theksoi se 72 për qind e të anketuarve e konsiderojnë si mundësi emigrimin.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku tha se brezat e rinj sot janë më pak “entuziastë për Evropën se sa dikur brezi im”.
“Edhe mekanizmat që janë vendosur përmes IPA-s ose përmes mekanizmave të tjerë evropianë kanë dështuar të japin rezultate. Në dekadën e fundit, mund të flas për shembull për Kosovën, Dua Lipa me Sunny Hill dhe Dokufest në Prizren kanë bërë shumë më tepër se çdo qeveri për të bashkuar të rinjtë nga rajoni dhe më gjerë. Pra, ka mungesë vullneti politik në qeveri, por në të njëjtën kohë, ka mungesë qartësie nga vetë Bashkimi Evropian se si do të duket udhërrëfyesi i integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor. Fatkeqësisht, kemi parë shumë pak hapa përpara. Të gjithë kishin një pritje, përfshirë edhe mua, se pas agresionit të paprovokuar të Rusisë dhe Ukrainës, do të shihnim një rilindje të një Evrope strategjike që do të ishte më e gatshme për zgjerim. Fatkeqësisht, shumë pak nga kjo është realizuar”, tha ajo.

Ky forum tematik ka vijuar me panelin me të rinjtë, Rron Ukimeraj nga Kosova, Hamza Nuhiu nga Maqedonia e Veriut dhe Mojash Kashçellan nga Mali i Zi, të cilët kanë diakutuar me temën “Rinia duke shtyrë përpara integrimin evropian: sfidat dhe mundësitë”.
Ky projekt do të zgjasë gjashtë muaj, ku aktiviteti i parë ka nisur në Podgoricë, po vijon në Prishtine e më pas në Shkup, si kryeqytetet e tre vendeve që do të përfshihen në këtë projekt.
Grupi i synuar që do të përfshihet në projekt do të jetë 60 të rinj profesionistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave që merren me procesin e negociatave për anëtarësim në BE në të tre vendet. Po ashtu, edhe 15 gazetarë dhe profesionistë të tjerë të mediave, 10 përfaqësues të institucioneve shtetërore përgjegjëse për integrimin në BE, 15 organizata të shoqërisë civile.


