“Këtu, në Taukbahqe unë dal çdo mëngjes për dy orë, ndodh që të dal edhe dy herë në ditë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe stërvitem duke ushtruar. Këtu stërvitem para garave, por dal edhe kur nuk ka gara, që të mos jem pasive…”
Me ndihmën e rrotave të karrocës, çdo mëngjes bën hapa drejt arritjeve të mëdha. Pavarësisht pamundësisë fizike, të mundur ka bërë çdo sukses.

Dy herë në ditë, nga dy orë, Vjollca Hoxha përshkon shtegun për ecje dhe vrapim në parkun Taukbahqe në Prishtinë. Kjo është hapësira më e afërt ku ajo ka mundësi të stërvitet për garat në atletikë.
Suksesi i jashtëzakonshëm i pesëdhjetë e katërvjeçares dëshmohet edhe përmes dhjetëra medaljeve olimpike. Sporti i ka dhënë atletes në karrocë motiv e vullnet për të vazhduar tutje, përkundër jetës së vështirë e diskriminimeve të shumta.
Ajo jeton e vetme në Prishtinë, në një banesë me qira, ndërkaq familja e saj ndodhet në Ferizaj. Vjollca zgjohet e vetme, kujdeset për vendin ku jeton dhe përgatit edhe ushqim.
“Kur kam qenë gjashtëvjeçare, nga temperatura e lartë kam mbetur në karrocë. Fëmijëria ka vazhduar në spitale, pastaj jam kthyer në shtëpi, sfidat kanë qenë gjithmonë.”
Që atëherë ajo u përball me kufizime, diskriminim e bullizëm nga rrethi ku ka jetuar.
“Sidomos para luftës, kam pasur sfida, se kur kam dalë më kanë shikuar me një sy të keq. ‘Shihe si po del kjo me karrocë’. Këto fjalë më kanë bërë të ndjehem… shumë rëndë më ka ardhur. Kam pasur sfida, por edhe familja ka pasur sfida. ‘Pse po e lejoni me dalë’, ‘Pse po e lejoni’. Ata u kanë thënë që ‘secili t’i shikojë punët e veta, kjo ka ardhur prej Zotit dhe vajzën nuk e lëmë të mbyllur’.”
Vjollca Hoxha, e cila që nga fëmijëria është në karrocë, nuk ka pasur mundësi të shkollohet. Tregon se një gjë e tillë, para luftës, ka qenë e pamundur për personat me aftësi të kufizuara.
Rrugëtimi i saj drejt kampiones ka nisur në vitin 2000. Sot ajo është fituese e shumë maratonave të organizuara në vend.
“Nuk pata mundësi që të shkollohem, sepse para luftës ka qenë që personat me karrocë nuk kanw pasur si të hyjnë në shkollë. Kam filluar të merrem me sport menjëherë pas luftës; garën e parë e kam pasur në Gjakovë. Pastaj, kur ka filluar maratona, kam vazhduar me maratonë edhe me komunitetin që e ka organizuar shkollën policore. Në fillim ka qenë vështirë, por pastaj me stërvitje, se këtu në Kosovë është pak vështirë sepse nuk ka hapësirë për të bërë stërvitje, për personat me aftësi të kufizuara edhe më zor.”
Sporti e ka ndihmuar Vjollcën që të tejkalojë pothuajse çdo sfidë, por edhe situatë të vështirë në të cilën është gjendur. Vitin e kaluar ajo ka punuar shumë me veten që të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ku për pak nuk u bë pjesë e listës.
“Çmimet e para kanë qenë në vitin 2005, në maratonën e Prishtinës dhe në Vushtrri. Por, për mua kurrë nuk ka qenë me rëndësi çmimi, cilin vend po e marr, me rëndësi ka qenë pjesëmarrja. I kam 20 çmime që i kam marrë deri më tani; kur i shoh, ndjehem krenare. Sporti më ka ndihmuar shumë, por më së shumti kam pasur përkrahjen nga familja. Kryesorja është familja dhe që të kesh përkrahjen e tyre.”
Me sport ka tejkaluar çdo kufi, por ajo edhe sot has në vështirësi që të qaset me karrocë në shumë institucione.
“Shumë vështirë është, mërzitem kur nuk mund të kryej ndonjë punë, sidomos në Qendrën për Punë Sociale; personat me aftësi të kufizuara aty kanë punë më shumë, aty nuk ke qasje hiç.”
Pesëdhjetë e katërvjeçarja po përballet edhe me vështirësi financiare. Shteti i ofron ndihmë sociale prej 435 eurosh, por Vjollcës nuk i mjaftojnë për të mbuluar nevojat mujore.
“Asistenca sociale që marr aktualisht është 435 euro; nuk po mjafton për asgjë, por falë përkrahjes familjare banoj me qira në Prishtinë dhe e paguaj 250 euro. Mos me qenë familja, nuk do të kisha mundur të arrij këtu ku jam tash.”
Atletja në karrocë kërkon nga institucionet mbështetje për të gjithë personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht për ata që duan të merren me sport.
“Shteti të përkrahë më shumë personat me aftësi të kufizuara, atyre që e kanë pensionin 150 euro, t’ju paguajë edhe asistenten. Familjarëve të personave me aftësi të kufizuara u them që personat që kanë vullnet të merren me sport mos t’i ndalojnë.”
Vjollca Hoxha ka hapur dyert e klubit paraatletikës “Dardania”, të cilin ajo e udhëheq, për të gjithë ata që kanë prirje për atletikë.
Vjollca Hoxha
Qershor 2025


