“Nën hijen e nënës”

12/08/2025

“Secili prind dëshiron ta ketë fëmijën e shkolluar”…

Pas përfundimit të klasës së dymbëdhjetë, vajza e Nurijes mbeti në shtëpi e shoqëruar me kujtimet nga bankat shkollore. Këto e përcjellin kudo, bashkë me ëndrrën e parealizuar që të vazhdojë fakultetin.

Gruaja që pas vdekjes së burrit mbeti shtylla e vetme e familjes, jeton vetëm me Artën, e cila pas lindjes pati ngecje në zhvillim.

Një jetë të tërë pranë njëra-tjetrës…

Nëna e katër vajzave dhe një djali po jeton me frikën se, pasi të vdesë kush do të kujdeset për fëmijën më të vogël, vajzën 34-vjeçare.

E vetmja ndihmë që i ofron shteti është ajo prej 120 eurosh, për të cilën për vite të tëra u detyrua të ndjek edhe rrugë ligjore.

Katër vjet kishte pritur të dëgjonte qoftë edhe një fjalë nga goja e Artës, por e kot. Aso kohe kishte pak informacione se për çfarë bëhet fjalë, madje nuk dinte as ku ta dërgonte për trajtim.

“Arta derisa i ka bërë dy vjet nuk kemi vërejtur asgjë tek kjo, kur i ka bërë dy vjet e kemi vërejtur që po dëgjon se ishte jashtë edhe kur e thërrisja aty e dinim që po dëgjon. Burrin e kisha në Gjermani atëherë, me babën e kam dërguar tek një mjek përmes gazetës për këta fëmijë që nuk flasin. E dërgova dhe mjeku më tha ‘katër vjet nuk do të flas’ dhe katër vjet nuk e ka folur asnjë fjalë. Më tha mjeku që kur të fillojë të flasë shumë rrallë do t’i flasë fjalët”.

Nurije Avdyli, 66-vjeçare nga Drenasi që nga paslufta jeton në lagjen “Dardania” në kryeqytet.

ë rralla janë rastet kur kështu flet për jetën e saj, ani pse fytyra i tregon qartë për vuajtjet që ka përjetuar.

“Pastaj te mjeku më nuk e kam pasur, se veç qysh më tha ai edhe nuk munda ta regjistrojë në klasën e parë se lufta, u keqësua situata sepse në Drenas filloi, tani Prekaz e andej. Kur përfundoi lufta kemi ardhur këtu në Prishtinë se në banesë krejt i kishin larguar gjërat, e dërgova te mjeku te logopedi te spitali gjashtë muaj, dy herë në javë ai më tha ta dërgojë vajzën te shkolla speciale ‘Përparimi’. E kam dërguar tri vjet se nuk ka pasur udhëtim, pas tri vjete ka ardhur autobusi e ka marrë dhe e ka dërguar”.

Nëna Nurija i mban sytë gjithnjë te Arta, nga frika se dikush mund ta keqpërdor.

“Zor ka qenë sepse unë u mërzitesha që është vajzë, edhe për djalë isha mërzitur, por djali më ndryshe, vajza më ndryshe. Se ka ardhur një kohë shumë e vështirë. Nuk e lejojë të dalë vet, jo pse kjo nuk dinë, por është situata ashtu që të frikësohesh me dalë”.

Shteti ofron vetëm 120 euro pension, që nuk mjaftojnë për asgjë. Për të jetuar, ato ndihmohen nga familjarë të tjerë.

“120 euro është pensioni, mos me pas vajzën djalin dhe vajzën jashtë nuk kishim arrit me ja dalë me asgjë”.

Nurijes i ka vdekur bashkëshorti para pesëmbëdhjetë vitesh. Që nga atëherë ajo merret tërë kohën me vajzën 34-vjeçare. Arta është shumë e pavarur, por pa përcjellës nuk mundet, tregon Nurija.

“Artës ja kanë ndalë pensionin kur i ka bërë 18 vjet, i bëri tri vjet që filloi me marrë pensionin edhe ja ndalën. Shtatë herë kam shkuar në shërbim social social dhe më thanë që nuk ke dëshmi, ju thash ‘po e sjelli vajzën në karrocë e ndoshta kjo është dëshmia’. Tetë vjet nuk ka marrë pension, i kam dërguar dokumentet në gjykatë, pastaj e kam fituar rastin dhe është duke u marrë pensionin që dy vjet”.

Gruaja rreth të shtatëdhjetave disa herë ka vajtur në markete e dyqane të ndryshme që të interesohet për punësimin e Artës. Por pa sukses. Vështirësitë në të folur, asaj ia pamundësojnë punësimin, siç tregon Nurija.

“Në Dardani i kam shumë afër marketet, dyqanet dhe jam interesuar për punësimin e Artës, problemin e ka vetëm tek çmimet, kam biseduar me menaxherë. E ka problemin që fjalët nuk i flet të gjitha, disa i le në gjysmë”.

Arta Avdyli deri në klasën e dymbëdhjetë ka vijuar mësimet në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Përparimi”. Ishte arsimtarja e Edukatës Fizike që vërejti se aftësitë e saj tejkalojnë çdo limit.

“Arta është e jashtëzakonshme në atletikë, në basketboll edhe futboll. Në garat regjionale së paku pesë-gjashtë herë është stolisur me medalje të arta për vrapim. Kurse në futboll është stolisur 10-15 herë”.

Teksa njërën nga to e mban në qafë, fytyra e Artës shkëlqen sikur medalja e argjendtë me të cilën dikur u stolis. Me dhjetëra të tilla dëshmuan se ajo ka aftësi të jashtëzakonshme.

“Shumë lehtë ka qenë që të vërejmë shkathtësitë e Arta Avdylit sepse pas garave regjionale dhe nacionale, në regjionalet gjithmonë kemi fituar prej elementeve të thjeshta që nga vrapimi, kërcimi edhe tek Arta kam vërejtur shkathtësitë në shpejtësi, e ka të lindur shpejtësinë. Prandaj edhe në garat e parë që ka marrë pjesë në vitin 2007 në Kinë, Arta është kthyer me medaljen e argjendtë që na ka gëzuar shumë. Me kalimin e kohës e kam parë që kur meshkujt luanin futboll kur kishim gara e kishte dëshirën që të kyçet dhe neve olimpiada speciale na lejon edhe femrat edhe meshkujt të luanin së bashku dhe Arta ka treguar talent të jashtëzakonshëm në futboll”.

Suksesi i saj erdhi krejt rasisht, tregon nëna e Artës, e cila thotë se nuk ka pasur mundësi që ta dërgojë në aktivitete të ndryshme. Nurija jeton me pengun që nëse do të kishte kushte më të mira financiare, vajza e saj do të mund të shënonte më shumë suksese.

“Ndoshta edhe më shumë do të kishte mundësi të arrijë, por nuk kanë qenë kushtet. Kushtet nuk i kemi pasur”….

“Unë ndjehem shumë mirë, kur ka shkuar Arta për herë të parë në Kinë, krejt jemi habitur kur më kanë thënë që Artën do ta marrim. Prej shtetit nuk ka asgjë, për këta fëmijë duhet të punohet. Edhe përcjellësi duhet të paguhet, se jo veç kjo. Për këta fëmijë nuk ka asgjë prej shtetit, hiç asgjë. Krejt prindërit dëshirojnë t’i kenë fëmijët e shkolluar, të punësuar. 34 vjet ti i shkon ende pas, sepse nuk ke besim më, nëse del kjo vet unë bëhem shumë keq”.

Nurije Avdyli

Shtator 2025