Nxënësit e Gjimnazit “17 Shkurti” mësojnë si të kursejnë energjinë

09/28/2026

Nxënësit e Gjimnazit “17 Shkurti” në Obiliq janë përfshirë në aktivitetet e projektit “Energjia në Duart Tona”, i cili synon rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve për kursimin dhe përdorimin efikas të energjisë elektrike.

Gjatë ligjëratës së mbajtur në këtë shkollë, nxënësit mësuan për mënyrat praktike të kursimit të energjisë dhe rëndësinë e përdorimit racional të saj. Ata u informuan edhe për ndikimin që shprehitë e përditshme kanë në ekonominë familjare dhe mbrojtjen e mjedisit.

Nxënësja e klasës së dhjetë, Duana Sejdiu, tha se ligjërata i ka ndihmuar të kuptojë më shumë rëndësinë e kursimit të energjisë. Ajo vlerësoi se aktivitete të tilla duhet të organizohen edhe në shkolla të tjera.

“Prej ligjëratës që e mbajtëm tash kuptova se kursimi i energjisë është shumë i rëndësishëm për ne dhe në ligjëratë është folur se duhet të kursehet energjia. Edhe në shkollë duhet të përdoret drita natyrale sesa nga energjia. Një ligjëratë e tillë është shumë e rëndësishme për moshatarët e mi dhe është shumë e rëndësishme të flitet në të gjitha shkollat, vendet ku ka nxënës që të vetëdijesohemi më shumë dhe për të kursyer energji më shumë sepse na ndihmon më shumë edhe për mjedisin”, tha

Edhe Orgesa Krasniqi, nxënëse e klasës së dymbëdhjetë, theksoi rëndësinë e ligjëratave vetëdijesuese, veçanërisht për të rinjtë në Obiliq.

“Ne si banorë të Obiliqit kemi mjaftueshëm nevojë për këto ligjërata vetëdijësuese. Mësova si ta ruaj energjinë elektrike dhe pse duhet ta ruaj dhe çka përfitojmë nëse e ruajmë. Këto ligjërata, ju përgëzoj me i mbajt edhe në shkolla të tjera për shkak se është mjaftueshëm një progres, sepse prej gjeneratës së re fillon ndryshimi dhe pse jo të mos e bëjmë këtë”, tha Krasniqi.

Brilant Morina, nxënës i klasës së njëmbëdhjetë, tha se përmes ligjëratës ka mësuar mënyra konkrete për kursimin e energjisë elektrike. Sipas tij, kursimi sjell edhe përfitime financiare për familjet.

“Këtë ligjëratë e mbajtëm për kursimin e energjisë elektrike. Unë prej kësaj ligjërate kam mësuar se si të kursej rrymë dhe të kursejmë më shumë për xhepin e prindërve tonë. Shpresoj që ligjërata të tilla të mbahen më shumë në shkollën tonë dhe në shkolla të tjera të Kosovës”, tha Morina.

Projekti “Energjia në Duart Tona” zbatohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress dhe Korporatën Energjetike të Kosovës

Përmes projektit synohet rritja e ndërgjegjësimit dhe njohurive praktike të të rinjve për kursimin, përdorimin efikas dhe menaxhimin e përgjegjshëm të energjisë elektrike.

Njohuritë e fituara nga të rinjtë synohet të përcillen edhe te familjet dhe komuniteti më i gjerë. (KEK).

Fokus i veçantë u kushtohet nxënësve të klasave X, XI dhe XII të gjimnazeve dhe shkollave të mesme. Synimi është krijimi i shprehive të qëndrueshme për përdorimin racional dhe kursimin e energjisë elektrike.